A po konsideroni vetëvrasjen?

Kërkoni ndihmë!

Ndoshta ndiheni pa shpresë. Sikur s'ka më asnjë mundësi për ju? Ndiheni sikur s'jeni gati ta shtyni as edhe një ditë tjetër?
Këto burime do t'ju ndihmojnë. Ju nuk jeni vetëm!

Përse duhet t'i jepni jetës një mundësi tjetër?

Po lexoni këtë artikull sepse po mendoni të merrni jetën tuaj. Ose ndoshta njihni dikë që po e mendon këtë.

Nëse jeni ai person që e ka humbur shpresën për jetën, ju lutem, vazhdoni leximin. Më lejoni t’ju flas personalisht. E kuptoj që mund të keni planifikuar tashmë t’i jepni fund jetës, ose ndoshta keni provuar. Gjithçka që mund të mendoni është sa e pashpresë është jeta juaj, se nuk mund të vazhdoni të jetoni kështu. Dhimbja është shumë e madhe. Askush nuk i kupton barrët që mbani apo trazirat emocionale që po përjetoni.

Por, jeni këtu tani, dhe vetëm për këtë fakt, më lejoni t’ju ndaj pak shpresë — për mënyrën si jeta juaj mund të ndryshojë dhe pse duhet t’i jepni një tjetër shans jetës.

Zgjedhje:
Dua t’ju kërkoj të konsideroni diçka tjetër përveç përpjekjes për t’i dhënë fund jetës suaj. Ndoshta keni provuar terapi ose të flisni me dikë, pa ndonjë rezultat. Por po ju kërkoj të hidhni disa hapa të tjerë — hapa që do t’ju ndihmojnë të shkoni në një drejtim tjetër, larg mendimeve vetë-shkatërruese që ju mundojnë.

Mund të thoni: “E di pse. Jam një dështim. Kam borxhe. Bashkëshortja/bashkëshorti më la. Dikush ka vdekur. Jam i papunë. Jam i vetmuar. Jam ______ (plotësoni boshllëkun).” Dua t’ju them se megjithëse keni shumë probleme dhe sfida, ka shumë mundësi që gjithashtu po përballeni me një mungesë fizike të kimikateve në sistemin tuaj nervor. Kjo mund të jetë një arsye kryesore për depresionin që ndjeni.

Para së gjithash, duhet të kuptoni pse jeni në depresion.

Shumë njerëz që janë të depresionuar nuk e dinë se depresioni gjithashtu shkaktohet nga mungesa e neurokimikateve. Një artikull i fundit nga [Klinika Mayo], (http://www.mayoclinic.com/) e njohur botërisht, thotë se “ekspertët besojnë se një ndjeshmëri gjenetike e kombinuar me faktorë mjedisorë si stresi apo sëmundja fizike, mund të shkaktojë një çekuilibër në kimikatet e trurit të quajtura neurotransmetues, duke rezultuar në depresion. Çekuilibrat në tre neurotransmetues — serotoninë, norepinefrinë dhe dopaminë — duken se lidhen me depresionin.”

Këto kimikate ndihmojnë njerëzit të përqendrohen, përmirësojnë humorin dhe rrisin energjinë. Mjekimi mund të ndihmojë në rritjen e këtyre neurokimikateve, bashkë me metoda natyrale si aktiviteti fizik dhe rritja shpirtërore. Ju ende keni nevojë të punoni për çështje të tjera si humbja e një të dashuri, vetëvlerësimi i ulët, ndjenja faji, zemërimi, ose abuzimi seksual në të kaluarën. Këto kriza dhe humbje duhet të përballohen, të përpunohen dhe të vajtohen.

A keni qenë në terapi dhe a jeni trajtuar për depresion?

Nëse jo, shkoni menjëherë te mjeku i familjes ose një psikiatër, ose në dhomën më të afërt të urgjencës për ndihmë. Ju lutem, bëjeni këtë menjëherë!

Nëse jeni aktualisht në terapi, kontaktoni terapistin tuaj dhe/ose psikiatrin dhe tregoni që keni nevojë për ndihmë për këto mendime vetëvrasëse dhe plane vetë-shkatërruese. Kërkoni një anëtar të familjes ose një mik të shkojë me ju.

Kuptimi i depresionit dhe sfida e emocioneve tuaja

Ndjenjat dhe depresioni juaj nuk janë të besueshme. Ndjenjat nuk janë e vërteta objektive. Ato janë tregues të mendimeve subjektive dhe duhet të eksploroni mendimet që keni ushqyer, të cilat ju kanë çuar të mendoni për vetëvrasje. Të menduarit për t’i dhënë fund jetës është të besosh gënjeshtra për jetën dhe të ardhmen. Shumë njerëz më parë janë përballur me depresion, por nuk u dorëzuan dhe nuk iu bindën ndjenjave. Ata patën guximin të vazhdojnë, guximin të besojnë se e ardhmja dhe jeta e tyre mund të ishin ndryshe.

Martin Luteri e përshkroi një nga periudhat e tij më të errëta kështu: “Për më shumë se një javë isha pranë portave të vdekjes dhe ferrit. Dridhesha në të gjithë trupin. Krishti ishte plotësisht i humbur për mua. U trondita nga dëshpërimi dhe blasfemia ndaj Zotit” (Here I Stand, Abingdon Press).

Don Baker, pastor dhe autor, shkroi për përvojën e tij me depresionin: “Më dukej sikur isha i shkëputur nga realiteti. Jeta ishte e turbullt, shpesh pa fokus. Jeta ime dukej si një mashtrim dhe fantazi. Askush nuk kujdesej vërtet, ndjeja — madje as Zoti. E vetmja zgjidhje — në disa momente — dukej vetëvrasja...”

Këta burra nuk iu bindën ndjenjave të tyre. Ata refuzuan mendimet dëshpëruese dhe ecën përpara. Ata arritën të kapërcenin pengesat dhe emocionet e disfatës. As ju nuk keni pse të udhëhiqeni nga ndjenjat dhe mendimet negative.

Është koha të sfidoni atë mënyrë të të menduarit.

Koha për ta parë jetën tuaj nga një këndvështrim i shëndetshëm. Ju jeni një person me vlerë. Ju jeni i rëndësishëm dhe mund të ndryshoni mënyrën e të menduarit dhe sjelljen tuaj dhe të përmirësoni jetën! Ju nxis gjithashtu t’i jepni një shans Zotit për t’ju dhënë shpresë. Kthehuni tek Ai dhe kërkoni ndihmën dhe udhëzimin e Tij. Pse të mos mësoni çfarë mund të bëjë Ai?! Kam parë se si Ai ka ndryshuar jetë, ka ngritur zemrat e thyera dhe ka sjellë shpresë për ata që ndiheshin të humbur.

Pyeteni veten:

  1. Çfarë ndjenjash qëndrojnë pas depresionit tim?
  2. A vuaj nga vetëvlerësimi i ulët?
  3. A kam ndjenja faji?
  4. A kam probleme në marrëdhënie?
  5. A kam frikë nga diçka?
  6. A po përballoj ndonjë humbje?
  7. Çfarë lloj mendimesh sundojnë mendjen time?
  8. Si mund të hedh një hap drejt kërkimit të Zotit?

Lutuni dhe kërkoni që Zoti t’jua zbulojë këto gjëra. Pastaj, lutuni dhe kërkojini që t’ju ndihmojë dhe të ndryshojë jetën tuaj nga brenda. Mos u dorëzoni! Mos u bëni dorëheqës! Bëni një marrëveshje me dikë të afërt që TANI të mos i jepni fund jetës suaj.

Të kalosh përtej mungeses së shpreses

Zakonisht njerëzit që janë në depresion nuk po bëjnë ato që do t’i ndihmonin të ndiheshin më mirë. Ju duhet të luftoni depresionin dhe të ecni përpara. Flisni me dikë për ndjenjat tuaja, për jetën tuaj. Të shprehësh ndjenjat është shumë e dobishme. Të eksplorosh me dikë, veçanërisht me një këshilltar, atë që fshihet pas këtyre ndjenjave mund t’ju ndihmojë të filloni të zgjidhni problemet.

Një kontroll mjekësor mund të çojë drejt trajtimit për shkaqet fizike të depresionit. Ka shumë mundësi që të keni nevojë për antidepresantë. Ushtrimi i rregullt dhe ushqimi i duhur janë gjithashtu shumë të dobishëm dhe ndihmojnë në rritjen e neurokimikateve që trupit tuaj i mungojnë.

Kaloni kohë me njerëz që kujdesen për ju — miq, familjarë, bashkësia kishtare dhe me Zotin — kjo do t’ju ndihmojë të ndiheni të lidhur dhe të rigjeni kuptimin në jetë.

Nga të filloni:

E keni lexuar këtë artikull. A do të merrni tani një hap drejt jetës? Një hap drejt rindërtimit të jetës? Një hap për të kërkuar ndihmë? Refuzoni të besoni gënjeshtrat që i keni thënë vetes. Gënjeshtra që jeta është e pashpresë, që ju nuk keni vlerë dhe që nuk keni të ardhme.

Unë jam këtu për t’ju thënë se jeta juaj ka të ardhme dhe shpresë. Kam parë shumë njerëz që kanë marrë ndihmë dhe kanë shijuar një jetë më të mirë!

Telefononi një linjë ndihme lokale (shikoni në krye të faqes). Shkruani një listë me gjërat që do t’ju ndihmonin të filloni nga e para.

Shpresoj që kam mundur t’ju bind të mos dëmtoni veten. Ju lutem, kontaktoni dikë për ndihmë, ose lidhuni me një mentor në këtë faqe. Telefononi pastorin tuaj, këshilltarin, një mik, mjekun tuaj. Hidhni një hap drejt jetës dhe shpresës tani.

Artikulli “Jepini jetës një mundësi Tjetër” u shkrua nga Lynette J. Hoy.